Home Kulture Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë – Cikël me...

Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë – Cikël me poezi nga Ymer Nurka

Si struci fshehim kokën

Kur s’ke ç’të thuash, rri edhe mos folë,
Sesa të belbëzosh pakuptim ca fjalë!
Më mirë nga gryka, le të dalë një kollë,
Se tingujt, që tregojnë, se je budallë!
Më mirë nga gryka, le të dalë një kollë!

Se sot e madhe është hipokrizia,
Tjetër tirret dhe shitet diçka tjetër.
Për paradoks, argëtohet shoqëria,
S’e hidhëron aspak një budall më tepër.
Për paradoks, argëtohet shoqëria!

S’ka më drojë, as s’i bie pika,
Në injoranca dhe veset marrin dhenë!
Rreket jetë e mot me statistika,
Se pafund mbi dhé, ç’e paska ngenë!
Rreket jetë e mot me statistika!

Jo jo njeriu s’ka këllqe më të brofë,
E botën të ndryshojë prej fillimi!
U tha mitra, që ngjizte filozofë,
Qëkurse “gay” po ndjehet njerëzimi.
U tha mitra, që ngjizte filozofë!

S’ka revolucione, të ndryshojnë botën,
E të shkundin qytetërimin, nga morali.
Si struci, nga mëkatet fshehim kokën,
E s’turpërohet më, i gjalli nga i gjalli.
Si struci, nga mëkatet fshehim kokën.

Merak trendafili

Vithet topolake, shtatin si biskonjë,
Herë më hiqesh çupë, herë më mbahesh zonjë!
Herë më puth me buzë, herë më çjerr me thonj,
Si më bën të vdekur, lutesh që të rronj!

Porsi brumë i ardhur, të lodrojnë gjinjtë,
Vij si zog i mardhur, më kthen të florinjtë.
S’di ku t’i çoj sytë, ku t’i hedh të zinjtë?
Luajmë kuka-fshehti, porsi çiliminjtë.

Syt’ e tu të kthjellur, porsi dy burime,
Buza ime e etur, ah moj buza ime!
Si prushi të dogji, ah një buzërubine!
Nën një rreze ylli, një mijë përqafime.

Unë fryja si flladi, ti si erë e vrulltë,
Rrithte pikë e mjaltit, mbi ëndrrën e tultë.
Porsi qelibari, shkëlqejnë ato pulpë,
Merak trëndafili, tretur mbi një lulkë.

Floku valë-valë, derdhej përmbi supe.
Unë me huqe djali, ti me naze çupe.
Ti më the një fjalë, unë të thashë një lutje,
“Pa më shuar mallin, s’do të ikësh tutje!”

Më kot lutemi lart në Zot

Më kot lutemi lart në Zot,
Në s’kuptuam, se mbi Dhé
Gjithë ç’vështrojmë neve sot,
S’është për zotin, është për ne!

Gjithçka shembëm në mot-mot,
Herë me ngut e herë më nge,
Do përpiqemi, por më kot,
Jo s’rikthehet më, siç qe!

Nëse vendi do t’ish bahçe,
Tejpertej syri sa sheh,
Shpirtrat tanë do kishin paqe,
Si shqiponjat në fole.

Në Atdheun bëmë batak,
Si mallkim do na ndjekë mbrapa,
Dërdëllitja, kuak-kuak,
Si zhapikë dhe si zhaba!

Artia e skrapit (fabul)

Një copë hekur që rrinte pranë një magneti,
Tërhoqi rreth vetes dhe copa të tjera,
Tek bënin së bashku një farë uniteti,
Po shihnin tu “rritej” dhe vlera.

Mes tyre plasi debati egër,
Secila me mburrje një rol po e desh,
Mbi grumbullin e madh, një hekur i vjetër,
Çohet mbi të tjerët dhe qesh.

“Siç më shihni kryetari tashmë jam unë,
Së bashku do formojmë një parti.
Të lidhur ngushtë, do bëjmë goxha punë
Do ngremë pushtetin e ri.”

Në grumbull vrapuan e goxhdët me majë,
Bullona të ndryshme dhe vidha pa rrumba.
Magneti i mbytur tha; “Dreqi ta hajë,
Mes tyre ç u treta dhe humba!”

U krijua partia, u mor dhe pushteti,
U trembën metalet e rralla;
“Ç’halle po kemi, në ç’duar ra shteti
Atë e drejtojnë ca rrangalla!”

Platforma prej hekuri, uzina, fabrika,
I mblodhi një ditë kombinati;
“E shikoni o miq, se si erdhi dita,
Të punojmë shërbëtorë te skrapi!”

A s’ishin këta, që brohorisnin ” O burra!
Të prishim e shëmbim gjithçka!
Dhe s’lanë oxhaqe, furrnalta e furra,
Shkatërruan gjithë veprat e mëdha!

Ateherë përpunomim metalet e lira,
Riciklonim dhe i vendosnim në vepra
S’lamë mbeturina, as ndryshkëtira,
Pa i ndarë nga skorjet e vjetra.

Tash u rrënuam e askujt si plas trapi,
Të gjithë vështrojmë, tek honi,
Secilin prej nesh në dorë e ka skrapi,
Ta japë për një farë konçesioni.”

Romancë në trotuar

Fjalët, që pata në kujtesë
U mekën të gjitha për çudi,
Për ty çapkëne, unë për besë!
Me zor i gjeta dy, a tri.

Të vjetra janë, sa gjuha vetë.
Thënë-stërthënë pa fund mbi dhè.
Dashnorë të thekur dhe poetë,
Lëvizin eshtrat dhe atje.

I thashë pastaj, i thashë me zemër,
Ashtu siç zemra di të thotë;
“Me ty merr vlerë gjithë seksi femër,
Sikur e vetme të jesh në Botë”

Këto s’janë fjalë, që i merr era,
Këndohen, veç për një që do!
Të drejtë kanë dhe gra të tjera,
Të ëndërrojnë, se i them për to.

Mbi taka shkon me buzëqeshje,
Në kurm, me një fustan të tyltë.
Ç’mistere fsheh e jotja veshje,
Si tis i dritës, teksa vesh yjtë?!

Si ti, s’shëtit sot një e dytë.
Ndaj djemtë brofin me një “ah”
Burrat tinëz të hedhin sytë.
Harrojnë pastaj, kë kanë në krah.

As gratë, shpirtit, jo nuk heshtin,
Janë gati që të rrëzojnë me sy.
Se ti në xhiro u prish rreshtin,
E dot s’shëtisin dy nga dy.

Dikush thotë; “të hëngsha pjeshkën!”
Më tutje mekur rri një plak.
Mendon për ditët, që i reshtën,
Kërkon të jetë i ri, për pak.

Të duash ty, jo s’është e lehtë,
Të shuash etjen, veç me vesë!
Dikujt i ngjall motiv për jetë,
Dikujt i jep një shkak “të vdesë”.

Udha

Ja kjo udhë, ku shkoj unë,
Ku shkel ti sot dhe të tjerë!
Po më ngjaka me një lumë,
Sa e gjatë, aq e gjërë.

Me qëllim, a kot së koti,
Qënka shkelur dhe më parë.
Paskan ecur mot pas moti,
Kushedi sa udhëtarë!

Brez pas brezi, rob pas robi,
Paskan qeshur, paskan qarë!
Tek kjo udhë dhe vetë Zoti,
Të jetë Zot mëndjen ka ndarë.

Bir pas biri, at pas ati,
Udhë nisur, si stafetë.
Dorë pas dore, hap pas hapi,
Kërkojnë rrugën e vërtetë.

Nip pas nipi, gjysh pas gjyshi,
Rrugë bënë e rrugë lanë.
Kush qe “njëshi” kush qe “dyshi”,
Që të gjithë shkuan, vanë.

Krah për krah, s’dihet në qenë,
Larg e larg, a pranë e pranë.
Para shkuan, prapa mbenë,
Plot e plot pafund karvanë.

Si të dobët, dhe të fortë,
Kësaj udhe kaq të lashtë,
S’dihet në kërkuan portë,
Në qenë veç, a në qenë bashkë.

S’dihet, s’dihet përse janë,
Kësaj udhe dhe ku venë!
Horizontesh anembanë,
Rreth e rrotull bredhin dhenë.