Home Slideri 60 shtëpi në Porto Romano dhe dhjetra në Currila kërcënohen nga rrëshqitja

60 shtëpi në Porto Romano dhe dhjetra në Currila kërcënohen nga rrëshqitja

Currila 1Xhevo Gradica / Specialistët thonë se më shumë se 6 ha tokë në kodrën e Porto Romanos  janë përfshirë në hartën e rrezikut. Aktualisht bëhet fjalë për 10 shtëpi të dëmtuara, ndërsa edhe 60 të tjera rrezikojnë të kenë të njëjtin fat

 Dhjetra banesa në Porto Romano dhe nën kodrën e Vilës, pranë Currilave janë përfshirë nga paniku rrëshqitjes masive të dherave. Shirat e muajit dhjetor e janar si dhe përbërja argjilore e tokës ka lëshuar alarmin për shumë banesa por edhe biznese. Pusheti lokal ka bërë të njëjtën gjë duke u kërkuar banorëve të ikin sa më parë për të shmangur viktimat nga rrëshitja e dherave të kodrës. Situata është kritike pasi banorët, shtëpitë e të cilëve kërcënohen nga shembja, nuk kanë se ku të strehohen dhe as kush të kujdeset për banesat nëse do të braktisen. Në Porto Romano janë 60-70 shtëpi të përfshira në zonën e rrezikshme dhe po aq edhe poshtë Kodrës së Vilës në Durrës.

Porto Romano

Në veri të Durrësit, poshtë kodrave në Porto Romano rrezikohet rikthimi i një situate paniku e ngjashme me atë të dy-tre viteve më parë teksa toka lëvizi në një sipërfasqe të konsideruar duke marrë me vete edhe banesa familjare. Aktualisht janë dhjetë familje që kanë braktisur shtëpinë nga paniku. Toka këtu është çarë në disa vende përgjatë perëndimit. Specialistët e tokës kanë këshilluar banorët të qëndrojnë larg nga zona e rrezikuar duke bërë të ditur se jeta është plotësisht e pasigurtë nëse nuk braktisen shtëpitë. Ata kanë thënë gjithashtu se parashikohen të tjera rrëshqitje në këtë vend për shkak të vazdhimit të reshjeve. Masive të mëdha me dhera kanë rrëshqitur kodrës por aktualisht nuk ka pasur dëme në njerëz dhe as dëme materiale. Plasaritja është e thellë dhe shihet lehtësisht çarja që ka pësuar toka pasi përshkon kodrën në më shumë se 70-80 m drejt pjesës së ultë. Zhvendosja tokës mendohet që është edhe pasojë e faktorëve të tjerë veç reshjeve të dendura e të zgjatura të shiut. Kodra në Porto Romano është zhveshur plotësisht nga pemët të cilat janë prerë, ndërsa nuk ka pasur asnjë nismë për të ripyllëzuar kodrën sidomos pranë zonave me ndërtime të shumta. Veç saj, nuk ka pasur asnjë investim për ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe brezave me gurë e rrjeta. Kjo e bënë kërcënuese kodrën e cila prej 20 vitesh ka nisur të popullohet shumë nga ndërtimet. Këtu mungojnë kanalizimet dhe çdo gjë është ndërtuar pa ndonjë planifikim për rrjetin e ujrave të kodrës. E njëjtë është gjendja në kodrën perëndimore, pranë Currilave. Specialistët thonë se më shumë se 6 ha tokë në kodrën e Porto Romanos  janë përfshirë në hartën e rrezikut. Aktualisht bëhet fjalë për 10 shtëpi të dëmtuara, ndërsa edhe 60 të tjera rrezikojnë të kenë të njëjtin fat. Dëmet në këto të fundit janë disi të lehta por gjithësesi kanë dhënë shenjat si të banesave që janë ndëshkuar nga masivet e mëdha të dherave. Përgjithësisht janë vënë re çarje të mureve, shembje të faqeve anësore, plasaritje të themeleve, dëmtime në soleta e kulme, shenja këto të mjaftueshme për ta klasifikuar zonën problematike dhe me rrezikshmëri të lartë për banim. Familjeve u është bërë thirrje të lënë sa më parë shtëpitë për të shmangur të papriturat me pasoja fatale. Banorët e zonës ndjekin me shqetësim situatën, ndërkohë që nuk dinë se çfarë të bëjnë për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm të banesave të tyre. Ata bëjnë të ditur se kanë njoftuar bashkinë e Durrësit, prefekturën, qarkun dhe qeverinë me shpresë për të gjetur një rrugëdalje e cila duket e largët. Shtabi emergjencave civile ka bërë regjistrimin e shtëpive të dëmtuara dhe ka dhënë udhëzimet për të gjithë banorët që jetojnë aty duke u kërkuar të braktisnin sa më shpejt vendin.

Currila

 Thuasje e njëjtë paraqitet gjendja në kodrën perëndimorë të qytetit të Durrësit, poshtë Currilave. Edhe këtu dherat kanë rrëshqitur përgjatë kodrës së zhveshur duke lëshuar në rrugë, në buzë të detit qinda m3 material. Rruga nga Brryli për në Currila në disa vendë është e bllokuar edhe pse fadromat ngarkojnë pa pushim kamionë të mëdhenj me baltën argjilore, rrënjë të pemëve apo gurë e sende të tjera që kanë rrëshqitur nga kodra drejt detit.  Ky fenomen natyror nuk është se ndodh për herë të parë pasi Currilat janë bllokuar edhe me ditë të tëra për të njëjtin shkak. Të rrezikuar janë disa shtëpi në majë të kodrës të cilat kanë pamjen nga deti në drejtim të portit si dhe disa të tjera banesa të ndërtuara diku në faqe të kodrës. Pranë ish kirugjisë së vjetër në Durrës ka pasur thuasje çdo vit rrëshqitje, megjithatë shtëpitë kanë shpëtuar mrekullisht por jo pa pësuar dëmtime deri të shumta e të pariparueshme. Këtu disa shtëpi janë çarë nga kulmi në themele dhe janë kthyer në dhoma magazinimi pasi nuk banohen më. Të tjera janë arrnuar megjithëse pa ndonjë shpresë për të qenë të sigurta për banim. Zona është e gjitha e mbushur me shtëpi nga një e dy-katëshe deri në disakatëshe. Ka pasur raste që llava e baltës ka hyrë brenda në shtëpitë e qytetarëve të zonës duke krijuar edhe panik. Me pak ndryshim, por me numër më të vogël shtëpish të kanosura nga rrëshqitja e kodrës, janë banesat në faqen e kodrës tek Brryli. Vatra e dytë me të njëjtët tregues është në pikën skajore perëndimore të Durrësit, pranë Currilave. Pushteti vendor 5-6 vite më parë investoi një shumë të konsideruar lekësh për të ndërtuar prita të forta. Taracimet dhe vendosja e blloqeve të mëdha me gurë e beton të mbështjella me tel si dhe mbjellja e pemëve ndikoi pozitivisht, por pa menduar se i ka dhënë zgjidhje afatgjatë dhe aq më pak zgjidhje të përhershme. Pasiguri paraqesin disa banesa të veçuara mbi kodër të cilat shohin poshtë në Currila. Ka të tilla banesa që u ka mbetur fare pak oborr pasi vit pas viti rrëeshitjet i kanë zvogëluar metrat duke paralajmëruar familjarët të ikin sa më parë. Bashkia dhe prefektura kanë thënë se është një listë me emrat e kryefamiljarëve shtëpitë e të cilëve rrezikohen. Gjithashtu kanë edhe dosje më vete për dëmet që kanë pësuar kohë pas kohe si dhe të dhëna të tjera. Kësaj kategorie u është bërë thirrje të ikin që andej, kërkesë e cila nuk është marrë në konsideratë. Pushteti vendor ka bërë të ditur se nuk ka hapsira ligjore për të detyruar qytetarin të largohet nga vendbanimi në rastet e kërcënimit nga katastrofat natyrore pasi këtë lëvizje duhet ta bëjnë vullnetarisht vet banorët. Pak vite më parë disa lokale poshtë kodrës, në anë të detit në rrugën Brryl-Currila u përpinë nga balta dhe dherat që ranë nga kodra. Dëmet materiale kanë qenë të shumta, ndërkohë që nuk pati të lënduar. Situata thuasje edhe sot është në ato tregues si dhe atëherë. Edhe sinjali alarmit është dhënë. Pritet vetëm ndërgjegjësim i banorëve për të vepruar para se të ndodhë ndonjë tragjedi.

 

Previous articlePlazhi i Durrsit në sytë e njerkës
Next articleMerkato, diskutohet shkëmbimi i Hyshmerit me Lenën e Flamurtarit