Home Aktualitet Skema/ Gjyqtari që futi në burg Tahirin për shpërdorim detyre nxjerr nga...

Skema/ Gjyqtari që futi në burg Tahirin për shpërdorim detyre nxjerr nga qelia Helidon Gjikokën që akuzohet për grabitjen e kompleksit ‘Ambel’ në Dhërmi

Nga Adriatik Doçi

Konfirmohen dyshimet se Helidon Gjikoka, i shpallur në kërkim prej një viti për përvetësimin me anë të mashtrimit dhe falsifikimit të kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi, improvizoi arrestimin e tij nga policia, me qëllim për të lënë më pas qelinë përmes vendimeve të diskutueshme të gjykatave. Në fund të fundit, më mirë i lirë me vendim gjykate, se sa në arrati! Fillimisht u shfaq gjyqtari i Vlorës, Enkel Peza, i cili rrëzoi pjesërisht dosjen e prokurorisë për tjetërsimin e kompleksit ‘Ambel’ në Dhërmi, përmes falsifikimeve, pasuri e cila kaloi nga emri i Ilir Kokës në emrin e Helidon Gjikokës, në fshehtësi të Kokës. Enkel Peza hoqi elementin e bashkëpunimit nga akuza, duke lehtësuar pozitat e Gjikokës dhe zhveshur nga përgjegjësia penale personat e tjerë të përfshirë, shumica zyrtarë të hipotekave.

Pas këtij vendimi, Helidon Gjikoka erdhi nga Anglia ku ishte në arrati, ndërsa u arrestua nga policia në Vlorë. Ka dyshime të forta se Gjikoka ka nxitur arrestimin e tij. Pas arrestimit, në datë 12 mars 2022, gjyqtari Enkel Peza vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Helidon Gjikokën, i identifikuar nga prokuroria si koka e grabitjes së kompleksit ‘Ambel’ në Dhërmi. Vendimi i gjyqtarit Peza për të lënë në burg Gjikokën erdhi edhe pasi lajmi për arrestimin e tij u publikua në media, ku për rrjedhojë tashmë kishte një interes sa i takon veprimeve të drejtësisë.

Pesë ditë më pas, Helidon Gjikoka kërkon ndryshimin e masës së sigurisë në Apel. Në skenë del gjyqtari Engert Pëllubmi, i cili në 24 mars 2022, vendosi që të nxjerrë Helidon Gjikokën nga burgu, duke i dhënë masën arrest shtëpie. Engert Pëllubmi ishte pjesë e trupit gjykues, që dërgoi në burg ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, pas dënimit me 3.4 vite burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Engert Pëllubmi ka gjykuar se Tahiri duhet të vuajë dënimin me burg për shpërdorimin e detyrës, ndërsa Helidon Gjikoka nuk duhet të qëndrojë në qeli, edhe pse u arratis për dy vite, ndërsa akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikime, duke i marrë pasurinë kushëririt të tij Ilir Kokës.

Shqiptarja.com mëson se në seancën e lirimit nga burgu të Helidon Gjikokës ka pasur debate të ashpra. Avokati i Gjikokës ka pretenduar se i akuzuari ka shkuar në Angli pasi nuk ishte në dijeni se ishte proceduar për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikime, se dosja e tij ishte pushuar, se ai ishte informuar ishte dorëzuar në polici, se nuk kishte rrezik ikje etj.

Prokurorja Elida Hoxhaj i ka kërkuar gjyqtarit Engert Pëllubmi që të mbante në qeli biznesmenin Helidon Gjikoka, i cili ia ka ikur veprimit të drejtësisë, çështja ndaj tij nuk është pushtuar, se Gjikoka akuzohet për vepra të rënda penale dhe për rrjedhojë mund të arratiset, se Gjikoka ka qenë në ndjekje edhe për vepra të tjera penale etj. Pritet që Prokuroria ta ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë, ndërsa Gjikoka tashmë ka edhe një herë mundësi për t’u larguar, nëse Gjykata e Lartë do të vendosë rikthimin e tij në qeli.

Historia

Në vitin 2020, Ilir Koka është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ku ka denoncuar përvetësimin e pronës së tij, kompleksit me 12 shtëpi private mbi sipërfaqen 1430 m2 në Dhërmi, nga Helidon Gjikoka. Në vitin 2009, Ilir Koka, meqenëse ndodhej në jashtë vendit, ka autorizuar Helidon Gjikokën që të ndiqte punimet për ndërtimin e kompleksit dhe të kryente veprime të tjera, por në asnjë rast nuk i ka dhënë të drejtën t’i tjetërsonte pasurinë. Shtëpitë private po i ndërtonte në pronën që ia kishte lënë trashëgim babai.

Pas hetimeve të thelluara dhe intensive, Prokurori Ervin Karanxha ka konstatuar se Helidon Gjikoka, në vitin 2017, kishte kërkuar legalizimin e pasurisë së Ilir Kokës në emrin e tij. Ndërsa Ilir Koka ishte në Greqi, prona e tij, që nga data 28 janar 2019 ka kaluar në emrin e Helidon Gjikokës.

Në 20 shtator të vitit 2018, shefi i legalizimeve Adiseldo Rrapaj, ka miratuar legalizimin në emër të Gjikokës, edhe pse ishte në dijeni se prona i përkiste Ilir Kokës. Punonjësi Ardian Musta ka shqyrtuar praktikën e legalizimit të pasurisë, edhe pjesë është njohur me lejen e ndërtimit të vitit 2010, që ishte në emrin e Ilir Kokës. Pjesë e skemës janë bërë edhe punonjësit Erdet Mandi, Arber Jaupaj dhe Denis Metaj, të cilët kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet e përpiluara nga ana e tyre, në funksion të vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Në dosje del në pah edhe roli i Jonida Hallvaxhiut dhe Enida Bukuroshit, juriste pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, të cilat kanë rrëzuar ankimin e pronarit të grabitur Ilir Koka, i cili kundërshtonte kalimin e pronës së tij në emër të Gjikokës. Ankimimi është rrëzua për shkak të tejkalimit të afatit, por sipas prokurorisë, dy juristet duhet të kallëzonin krimin e vjedhjes së pronës nga Helidon Gjikoka.

Inxhinierja Alda Qira (Kurti): Unë nuk i kam firmosur këto akte

Nga lista e dokumenteve që Helidon Gjikoka dhe avokati Ariton Kasaj kanë paraqitur në organet shtetërore për të kaluar kompleksin ‘Ambel’ në Dhërmi në emrin e Gjikokës, është paraqitur edhe ky akt ekspertimi mbi qëndrueshmërinë konstruktive të objektit. Akti i ekspertimit i vitit 2018 është paraqitur sikur është hartuar nga Alda Qira (Kurti). Në 15 dhjetor të vitit 2020, Alda Qira (Kurti) është pyetur në prokurori për aktet e hartuara nga ajo, pjesë e dosjes së tjetërsimit të pronës.

Mes të tjerave, inxhinierja ka deklaruar se “U njoha me aktet e vëna në dispozicion dhe bindjet them se këto nuk janë punuar nga ana ime, për me tepër nuk kam qene asnjëherë për inspektim të këtyre objekteve të cilët pasqyrohen në akte… Gjithashtu dua të shpjegoje se edhe në strukture janë akte të cilat nuk janë punuar nga ana ime, megjithëse janë munduar t`i kopjojnë”. Inxhinierja ka deklaruar se edhe numrin e licencës së saj e kanë shënuar gabim.

Megjithatë, edhe pse dy dokumentet konfirmojnë përtej çdo dyshimi falsifikimin e akteve, gjyqtari Enkel Peza ka rrëzuar dosjen dhe ka çliruar nga akuza Helidon Gjikokën dhe grupin e tij.

Konkluzioni i prokurorisë

Pas një hetimi të thelluar, kryqëzimit të dëshmive, dokumenteve dhe fakteve, prokuroria ka arritur në konkluzionin se Ilir Kokës i është vjedhur prona nga Helidon Gjikoka. “Shtetasi Helidon Gjikoka në bashkëpunim me shtetasin Ariton Kasaj rezulton se ka përdorur formularin e falsifikuar si dhe dokument të tjera të falsifikuara si akte ekspertimi etj., me qellim për të vjedhur nëpërmjet mashtrimit pronën e ligjshme të shtetasit Ilir Koka. Dhe vepra penale e mashtrimit është kryer pasi prona e ligjshme e vëllezërve Koka kaluar në pronësi të të dyshuarit Helidon Gjikoka me ndihmën e Ariton Kasës. Në rastin konkret del mjaft qartë se prona është e shtetasit Ilir Koka dhe se është tjetërsuar nëpërmjet mashtrimit nga ana e shtetasit Helidon Gjikoka, duke u mbështetur nga zyrtarë të ish Drejtorisë së Legalizimeve Vlorë siç është pasqyruar në dinamikë, në pjesën përshkruese të këtij relacioni”.

Previous articleNjihuni me fshatin italian që dëshiron të jetë… komb i pavarur
Next articleShefqet Dibrani, krijues e kritik letrar