Home Slideri 32 vjeçari me probleme mendore, që endet në rrugët e Durrësit, rrezik...

32 vjeçari me probleme mendore, që endet në rrugët e Durrësit, rrezik për komunitetin. Institucionet: Nuk kemi mbështjetjen ligjore për tju ardhur në ndihmë rasteve të tilla

14384018_636339239877439_34102_nNga Jona Doko

Vrasja e efektivit të Forcave të Ndrëhyrjes, Ardian Kodra, ngjarje e ndodhur në datë 2 shtator në Shkodër, që  ka si autor të dyshuar 30 vjeçarin, David Qosja, i cili vuan nga probleme mendore, bëri bujë të madhe sa i takon problemit të mungesës së strehimit për personat që vuajnë nga probleme mendore. Apo edhe rasti makabër i Palasës(Himarë), ku i sëmuri mendor, Jorgo Zani, masakroi në mënyrë makabre, 12-vjeçarin, Andrea Zani. Janë dy prej rasteve flagrante, për atë se çfar mund të shkaktojë një person me gjendje të rënduar mendore e që endet i lirë rrugëve.  Në rrugët e qytetit të Durrësit, janë me dhjetëra raste personash, që vuajnë nga probleme mendore, e   që enden çdo ditë  në rrugët e qytetit, , të cilët shpesh kthehen në burim frike dhe paniku për qytetarët, për shkak të agresivitetit që ata shfaqin nga gjendja e rënduar psikologjike. Lulëzim Voci, një prej shumë e shumë rasteve që enden rrugëve të Durrësit apo mbarë vendit tonë, është gjetur nga punonjësit e mirmbajtes pranë Spitalit Rajonal të Durrësit, në gjendje shoku, gjatë një nate me shi, rreth një javë më parë, i strukur pranë një koshi plehrash dhe në gjendje të mjeruar fizike dhe psikologjike. Aktualisht, prej pak ditësh, Lulëzimi(emri që ai pohon kur e pyesim), prej pak ditësh është strehuar përkohësisht pranë Spitalin të Durrësit, në repartin e  Neurologjisë, por askush nuk di të jap një përgjigje për vijimësinë e tij, pasi ende nuk dihet kujt familije  i përket dhe se diagnoza e tij (Sindrom Vertigonez)nuk mund të trajtohet për një kohë të gjatë pranë  Spitalit të Durrësit . Gazeta “Bulevard” pasi u njoh me këtë rast, u paraqit për të parë nga afër gjendjen e Lulëzimit, endacak dhe me probleme mendore, që shpesh bëhet edhe agresiv, dhe e vetmja fjalë që shqiptohet nga buzët e  tij është “Me ndihmoni”, gjë që pavarsisht gjendjes së tij të rënduar, ai e ndjen nevojën e madhe për ndihmë. Në dhomën që ai sot rri, nuk hyn askush, pasi ka shkaktuar ndotje në çdo cep të saj, duke krijuar një gjendje tepër alarmante, që nëse zgjat për shumë kohë qendrimi i tij aty, rrezikon të kundërmojë në erë të keqe gjithë pavionin e Neurologjisë në Spitalin e Durrësit. Lulëzimi, kur e pyesim për familjen, thotë se i ati quhet Sefer Voci, dhe se është banor i Beratit, të dhëna të cilat ende nuk janë verifikuar deri më tani, ndërsa për moshën herë thotë 32, e herë 34, 35…Por,  ajo që është e konfirmuar në të gjithë historinë e trishtë të jetës së Lulëzimit, që si ai “lulëzojnë” me dhjetër në mbarë vendin tonë, edhe në qytetin e  Durrësit, është mungesa e vëmendjes nga ana e institucioneve shtetërore, për këtë kategori personash. Rastin e Lulëzimit, e kanë marrë nën kujdes motrat e Nënë Terezës, të cilat shprehen se pavarësisht dëshirës së mirë që kanë për ti dhënë ndihmë apo strehim, nuk kanë mbështetjen e duhur ligjore dhe ambiente të përshtatshme për të strehuar, Lulëzimin apo dhe shumë raste të kësaj natyre, me të cilat hasen përditë, vetë ato apo dhe qytetarët.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social

Me dëshirën për ta ndjekur këtë rast institucionalisht, u drejtuam pranë Drejtorisë  Rajonale të Shërbimit Social Durrës, ku drejtuesi i saj, Dorian Hatibi, na sqaron se ” Jemi njohur me rastin në fjalë dhe kemi vënë në dijeni,  fillimisht Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social në Berat, për të identifikuar familjen e Lulëzimit, që të shohim më tej se çdo të ndodh me të. Por, nuk na favorizon ligji për të trajtuar raste të kësaj natyre, që kanë moshë madhore. Po mundohemi, ti gjejmë ndonjë strehim të përkohshëm që ta heqim nga rruga, por nuk është përgjegjësi e jona ligjore. Pasi bazuar në VKM 425, datë 27. 06.2012, e firmosur në atë kohë nga ish-Kryeministri, Sali Berisha,  në  Kreu II, thuhet shprehimisht se  “Kriteret për pranimin e personave me aftësi të kufizuara në institucionet e përkujdesjes shoqërore janë si më poshtë vijon”, pika 1.3 “Mosha për t’u pranuar në institucionet rezidenciale për personat me aftësi të kufizuar është nga 0-25 vjeç”, gjë që e përjashton si mundësi strehimin e  tij në qendrat tona. Plus që krijon rrezikshmëri nëse e strehojmë me fëmijët apo në azil. Kështu që, ajo që unë po merem me këtë rast, me jep tagrin vetëm në identifikimine familjes së tij, por skam asnjë mundësi tjetër ndihme apo trajtimi të mëtejshëm. Ka me plot raste të tilla çdo ditë në rrugët e Durrëdit dhe ne jemi totalisht të pafuqishëm ligjërisht për të vepruar. E shoh të nevojshme ndryshimin e këtij kuadri ligjor, pasi njerzit nga nevoja përplasen tek ne, por skemi çfarë tju bëjmë për ti ndihmuar. ” Në këto kushte, kur mungesa e statistikave ekzakte, për numrin e personave që vuajnë nga problem mendore  dhe enden rrugëve, duke u bërë rrezik evident për komunitetin, e vetmja gjë që duhet të lutemi është “Zot na ruaj që të mos jemi ne viktima e radhës, e agresivitetit që ata shfaqin”. Komisioni i ligjeve duhet ta shohi me përparësi ndryshimin e kësaj VKM-je, që “zhvesh” institucionnet nga përgjegjësia për të vepruar dhe trajtuar personat që vuajnë nga probleme mendore, e që familja nuk mund ti mbajë të izoluar apo ti trajtojë rregullisht me medikamente. Rasti i Lulëzimit, është vetëm një ndër shumë rastet që nevoja për ndihmë e trajtim është e madhe dhe alarmante, ndërsa shtetit i vijnë në mendje kur ndodhin raste si në Shkodër, apo ai i Palasës ku 30-vjeçari masakroi për vdekje 12 vjeçarin. Vrasjet makabre të verës së këtij viti patën shumë vëmendje mediatike, por asnjë masë konkrete nuk është marë për të venidentuar rastet, e për ti institucionalizuar ato. Nuk dihet cili do të jetë fati i Lulëzimit më tej, por me siguri, ashtu si shumë të tjerë, do ti riktheht rrugës…