Një fond prej 32 milionë lekë të reja është akorduar nga qeveria për dëmshpërblimin financiar të 9 ish-të dënuarve politike nga regjimi komunist. Vendimi i propozuar nga ministria e drejtësisë, u miratua në mbledhjen e qeverisë. Dje, në një dalje për mediat, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh së është vendimi i 30 që merr qeveria për dëmshpërblimin e të dënuarve të regjimit komunist. “Në mbledhjen e qeverisë është trajtuar edhe problematika e trajtimit të disa dosjeve të subjekteve përfituese të regjimit komunist, të cilat janë dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afateve të përcaktuara nga ligji. 9 subjekte përfituese ish të dënuarish politikë për të cilët qeveria ka miratuar masën e kompensimit. Është vendimi i 30 që merr qeveria për dëmshpërblimin e të dënuarve të regjimit komunist. Nga 9 prej tyre, 7 janë me burgime të gjata dy të tjerë të ekzekutuar pa gjyq”, deklaroi Manja. Fondi total i akorduar është 30.2 milionë lekë të reja. Në listën A të përfituesve, janë ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, ndërsa në listën B, janë renditur ish-të dënuarit politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se në mbledhjen e qeverisë u diskutua edhe problematika e një numri dosjesh të dorëzuara jashtë afateve të përcaktuara nga ligji, për të cilat po kërkohet një zgjidhje.“Kemi rënë dakord të përllogarisim koston e buxhetit për këtë kategori, dhe në kohën e duhur do ndërmarrim iniciativën e ligjit për të shtyrë afatin e depozitimit të këtyre dosjeve”, nënvizoi Manja.