Mjeku Erion Dasho është shprehur se përgjegjës për vetëvrasjen e pacientëve me Covid-19 janë autoritetet shëndetësore. Dasho ka deklaruar se kemi të bëjmë me një cenim ekstrem të sigurisë së pacientëve dhe se në spitalet evropiane nuk ndodh të mbahen dritaret hapur.
“Vetëvrasja e pacientëve është padyshim përgjegjësi pa diskutim e autoriteteve shëndetësore përfshirë dhe kolegët natyrisht, por në radhë të parë është përqasja e gabuar që kemi në Shqipëri ndaj asaj që quhet siguria e pacientit. Është një nga kapitujt e mëdhenj kur vlerësohen institucionet shëndetësore një nga elementët e parë që vlerësohen është siguria e pacientit. Në rastin e vetëvrasjeve është cenimi ekstrem i sigurisë së pacientit dhe është diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë. Në spitalet evropiane nuk hapen dritaret dhe jo vetëm për rastet e pacientëve me Covid të cilët janë dhe nën trysninë e frikës. Flasim për siguri fizike që është katastrofike të kesh spitale të pasigurta nga ana fizike, pastaj kalojmë të elementët e tjerë si prania e psikologut dhe infermierëve të trajnuar për të trajtuar çështje të shëndetit mendor.”-tha mjeku për Ora News.