Nga Erion Dasho
Asnjë problem shëndetësor i njerëzimit nuk është shoqëruar me kaq teori konspirative sa pandemia e COVID-it! Origjina e virusit, përpjekjet e qeverive për të kufizuar të drejtat dhe liritë e njeriut duke përdorur si pretekst pandeminë, synimet e kompanive multinacionale për të fituar në kurriz të pandemisë, përpjekjet për të instaluar çipa, për të shkatërruar imunitetin e njerëzimit, për të komprometuar ADN-në, për të ulur lindshmërinë, për të shkaktuar vrasje të programuara masive, etj. etj.!Sigurisht kalimi i debatit në sferën jashtë shëndetësisë ka krijuar premisa (të drejta) që ekspertë të fushave të tjera si politikanë, aktivistë të të drejtave të njeriut, juristë, ekonomistë, sociologë, etj. të përfshihen në debatet rreth COVID-it. Kuptohet se mjekët me mend jo vetëm nuk e kundërshtojnë këtë përfshirje, por madje e mirëpresin atë. Debati ndihmon edhe vetë mjekët të orientohen më mirë në mënyrën se si ofrojnë kujdes shëndetësor kurues apo parandalues.POR!!!Problemi krijohet kur personat jashtë fushës së mjeksisë, të entuziazmuar nga diskutimi ku janë përfshirë, nisin të debatojnë në një fushë të cilën ose nuk e njohin, ose e njohin nëpërmjet postimeve të internetit apo videove të YouTube-it. Persona të cilët deri para një viti e kishin lexuar termin limfocit vetëm në fletët e analizave dhe hera e fundit që kishin mësuar diçka për ADN-në dhe ARN-në kanë qënë vitet e largëta të shkollës, papritur e ndjejnë veten kompetent të diskutojnë rreth këtyre termave! Ne mjekët para se të japim këshilla apo rekomandime rreth temave shumë specifike të imunitetit, vaksinimit, efekteve anësore, etj., lexojmë. Dhe nuk lexojmë pak!
Personalisht konsultoj burime të shumta informacioni para se të jap një këshillë. Këto janë ose revista nga më të besueshmet (p.sh. Nature, Science Magazine, NEJM, the Lancet, etj.) ose faqe interneti të organizatave shkencore nga më prestigjiozet. Këto gjetje i ballafaqoj me njohuritë bazë që kam marrë përgjatë 6 vite fakultet, 2 vite studimesh master ndërkombëtar dhe 24 vite përvojë pune si ekspert i shëndetit publik.
Pasi bindem se ajo që do të shkruaj apo them është e mbështetur shkencërisht nga të paktën dy burime informacioni (kriteri i parë dhe i pakundershtueshëm), përputhet me ato që janë parimet bazë të mjeksisë parandaluese apo kurative dhe është e dobishme për t’u lexuar apo dëgjuar nga publiku i gjerë, e publikoj në faqen time në FaceBook apo e komunikoj gjatë intervistave televizive. ME KË DEBATOJ ZAKONISHT?Më gëzon fakti që gjithmonë e më pak debatoj me kolegë bluzëbardhë. Kjo tregon se ka një konsensus midis gjithë ne, mjekëve dhe specialistëve të shëndetit publik, për parimet bazë që duhet të ndiqen për kontrollin e pandemisë dhe kjo nuk është një arritje e pakët. Fillimisht ka patur shumë debate dhe kundërshtime edhe midis vetë bluzave të bardha.Në këtë moment debati fillon dhe devijon. Debati më i nxehtë i ditëve të fundit është me një mikun tim virtual, jurist i njohur dhe i respektuar, person që mbi të gjitha zhvillon debat të kulturuar dhe të civilizuar. Në kushte të një kafe apo darke miqësore nuk do të kisha problem të diskutoja me orë të tëra me të, sepse nisur edhe nga pozicioni i juristit, ai mundohet të gjejë argumente dhe fakte për ato që beson dhe shkruan.Problemi është diku tjetër.Unë e shoh FaceBook-un si mënyrë për të ndarë mendimet e mia me miqtë e faqes, me besimin se ato që shkruaj do t’i ndihmojnë ata të kalojnë më lehtë pandeminë, të mbrojnë shëndetin dhe jetën e vet dhe të të afërmve të tyre. Kur një mjek më kundërshton dhe hyn në debat me mua, unë e mirëkuptoj sepse marr telefonin dhe diskutojmë pikat ku nuk merremi vesh bazuar mbi një “gjuhë” që e njohim dhe e kuptojmë të dy. E kuptojmë se cili burim informacioni është i besueshëm dhe cili jo dhe me shumë gjasa jemi në gjendje të gjejmë gjuhën e përbashkët në fund të diskutimit apo debatit.Kur unë debatoj me një jurist, apo ekonomist, apo politolog për çështje thellësisht mjeksore që kanë të bëjnë me koncepte bazë të cilat ata nuk i kanë, pasi ato koncepte merren gjatë viteve të gjata të studimit dhe jo nga një video, këtu unë i kam duart e lidhura. Nëse do të përpiqem t’i mbush mendjen bashkëbiseduesit jurist, duhet t’i rekomandoj të lexojë dy libra nga 500 faqe të fiziologjisë dhe fizpatologjisë, librin 300 faqe të imunologjisë, dy libra nga 300-400 faqe të mikrobiologjisë dhe sëmundjeve infektive, si dhe të ndjekë dhjetëra leksione dhe praktika mjeksore nga Prof. Sulçebe, Prof. Byku, Prof. Korraqi, etj., etj. Atëherë do të ishim në pozita të përafërta (ende jo të barabarta) për të diskutuar dhe debatuar.Por jo! Debatuesit dhe kundërshtuesit mjaftohen me argumentet e mëposhtëm:
Dikush përdor një frazë që lidhet me një emër të njohur dhe me reputacion. Një kërkim i thjeshtë do të tregonte se kjo frazë është lidhur në mënyrë abuzive me personalitetin në fjalë. P.sh. dikush ka deklaruar se “Prof. X deklaroi se vaksina shkakton vdekje” dhe ky post është ndarë me mijëra apo miliona herë. Mjafton një kërkim disa sekonda për t’u kuptuar se bëhet fjalë për në “fake news”, por debatuesi jo mjek thjesht nuk e vret mendjen për të bërë këtë test të thjeshtë.Dikush përdor frazën e një Nobelisti i cili mund të ketë qënë pikë referimi 20 apo 30 vjet të shkuara, por tani në moshën 90 vjeçare nuk e ka as mprehtësinë e gjykimit dhe as aftësinë për t’u përfshirë në debate shkencore të të njëjtit nivel. Sigurisht ai ka një “markë” të njohur si nobelist dhe audienca është e garantuar. Problemi është se miqtë e mi virtualë që influencohen nga Nobelisti në fjalë nuk lexojnë dhjetëra artikuj ku idetë e Nobelistit analizohen nga profesorë dhe ekipe që janë shumë më të aftë dhe të azhornuar se ai dhe që i hedhin poshtë me fakte të pakundërshtueshme idetë e Nobelistit.Dikush tjetër vendos si argument një fjali apo paragraf të shkëputur nga një intervistë apo deklaratë. Shpesh kjo frazë është përkthyer me ndihmën e një programi online. Kur unë ri-kërkoj dhe gjej artikullin orgjinal, shoh se në vijim të artikullit arrihet në një përfundim komplet tjetër, ose shpesh fraza e cituar është përkthyer gabim. Jo rallë, artikulli mund të jetë kuptuar drejt, por ka kufizime, p.sh. nuk është botuar në një revistë peer reviewed, bazohet tek studime me fuqi zbuluese të ulët (këtë autorët e deklarojnë, por një lexues pa njohuri mjeksore nuk arrin ta kuptojë), etj.Dëmet më të mëdha i shkaktojnë videot e mjekëve anti-establishment! Në to shihet një person bluzëbardhë që flet për konspiracionin botëror që po i kanoset njerëzimit nga X apo Y veprim. Herë problemi është testi që injekton virusin, herë mjekimi dhe prej disa muajsh vaksinat që “shkatërrojnë” ADN-në”, “programojnë vdekjen”, “sterilizojnë fëmijët dhe të rinjtë”, etj.Në radhë të parë, jo çdo person që mban veshur një bluzë të bardhë është mjek aktiv. Shumë nga promovuesit e teorive konspirative, janë mjekë të cilëve u është hequr licensa dhe e drejta e ushtrimit të profesionit pikërisht për shkak të ideve radikale dhe të dëmshme që kanë promovuar. Dikush që është përpjekur të trajtojë kancerin me acid dhe i është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit, shfrytëzon qasjen që mundëson interneti për të krijuar idenë anti-establishment të radhës. Ai bën dëm edhe më të madh pasi e prezanton veten si “viktimë të establishmentit”. Alibi perfekte!
Sot bota ka gati 10 milion mjekë. Unë dhe kolegë të mi zgjedhim të dëgjojmë atë që referojnë mjekët e Oxford-it, Harvard-it dhe Yale-it, apo rekomandimet e CDC-së, EMA-s dhe FDA-së. A e kuptojnë pjesa më e madhe e debatuesve jo mjekë se nuk mund të krahasosh këtë evidencë me deklaratën e ish-mjekut me flokë të bardha të kërleshura që lëshon anatema kundër establishmentit me një gjuhë shpesh të sfazuar?
Përfundimisht, idetë konspirative kanë dëmtuar, dëmtojnë dhe do të dëmtojnë jo pak përpjekjet tona për të ndihmuar në parandalimin dhe kontrollin e COVID-it, përpjekjet për të ndihmuar njerëzit të mbrojnë shëndetin dhe jetën e tyre dhe të të afërmve të tyre.
Në faqen time çdokush do të gjejë gjithmonë informacionin të cilin unë e besoj dhe e ndjek edhe vetë dhe që ua rekomandoj familjarëve si dhe miqve të mi realë e virtualë.
Kushdo që beson, është i mirëpritur!