Kolegji Zgjedhorë pranë Gjykatës Administrative të Tiranës ka vendosur që më datën 1 shtator të marri në shqyrtim padinë e Partisë Demokratike ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas selisë blu, KQZ ka shkelur ligjin. Sipas juristëve të Partisë Demokratike, vendimi i KQZ për të cilësuar Partinë e Lirisë si partinë më të madhe të opozitës, duke i dhënë 2 anëtarë të Komisionit Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për zgjedhjet e pjesshme në Kukës, që do të zhvillohen në datën 4 shtator, është një vendim jo në përputhje me ligjin, pasi në vlerësimin e KQZ duhet të merren parasysh zgjedhjet para-ardhëse parlamentare, ku PD është forcë e dytë, dhe më e madhja në opozitë.
Në mbledhjen e 22 gushtit KAS rrëzoi ankimin dhe nuk pranoi ta marrë në shqyrtim. PD ankimoi vendimin dhe më 1 shtator në orën 09:00 Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë kërkesën e PD-së për “Shfuqizimi i vendimit nr. 179, datë 22.08.2023, të KAS “Për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr.93, datë 20.08.2023, të depozituar nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”. Dhe detyrimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) të marrë vendim, lidhur me kërkesën ankimore nr. 93, Dt. 20.08.2023, depozituar nga subjekti “Partia Demokratike e Shqipërisë”.
Me shortin e hedhur ditën e mërkurë nga Kolegji Zgjedhor, u caktua trupi gjykues që do të gjykojë kërkesën e PD-së. Sipas shortit, Marsela Dervishi (Relatore) dhe anëtarë Sokol Ibi, Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili dhe Edlira Petri.