Home Kosova Shtrenjtimi i energjisë/ Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

Shtrenjtimi i energjisë/ Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me shtrenjtimin e energjisë elektrike. Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga PSK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK.

Para seancës së jashtëzakonshme do të mblidhet Kryesia e Kuvendit, e cila do të mbahet në orën 11:00, ndërsa seanca pritet të fillojë në orën 12:00.

Partitë opozitare në seancën e Kuvendit të mbajtur të enjten e kaluar, kanë ngritur shqetësim për shtrenjtimin e energjisë elektrike. AAK-ja propozoi një projekt-rezolutë përmes së cilës kërkohej që të mos ketë ngritje të çmimeve, por ajo nuk u miratua pasi nuk gjeti edhe mbështetjen e Vetëvendosjes që ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë një konference për media, deklaroi se do ta ndalojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është e nevojshme.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi javën e kaluar deklaroi se do të bëhet propozimi i një rezolute që sipas tij do të ndaloj rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Ndërkaq Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur të premten, miratoi ndarjen e 10 milionë eurove në mbështetje për të tejkaluar krizën energjetike.