Home Politike Ministri grek flet pas takimit me Belerin në burg: Çështje që hedh...

Ministri grek flet pas takimit me Belerin në burg: Çështje që hedh hije serioze në marrëdhëniet dypalëshe

Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Janis Ikonomu ka reaguar pas takimit në burgun e Durrësit me Fredi Belerin.

Ikonomu i është drejtuar këtë herë me “urdhër” autoriteteve shqiptare duke kërkuar të lejohet menjëherë betimi i Belerit si kryebashkiak i Himarës.

Ai ka thënë se kjo është një çështje tepër serioze për Greqinë dhe se po hedh hije mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.

“U takova sot në burgjet e Durrësit, në prani të ambasadores sonë në Shqipëri, znj. Konstantinas Kamitsi, me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë, anëtar i minoritetit etnik grek të Shqipërisë, z. Fredis Beleris, i cili ka mbetur në paraburgim për më shumë se katër muaj”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Janis Ikonomu.

“Për Greqinë, ky rast ishte që në fillim dhe mbetet jashtëzakonisht serioz. Respektimi i shtetit ligjor dhe të drejtave civile janë parimet dhe vlerat kryesore evropiane. Qëndrimi i Greqisë është se në rastin e z. Beleri, nuk merren parasysh parimet e shtetit ligjor, prezumimi i pafajësisë dhe respektimi i të drejtave civile. Pala shqiptare duhet të lejojë menjëherë betimin e zotit Beleris si Kryetar Bashkie, duke respektuar verdiktin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit. Zgjerimi i situatës aktuale hedh seriozisht një hije mbi marrëdhëniet tona dypalëshe dhe nuk është në përputhje me acquis evropiane, me gjithçka që ajo përfshin”, deklaroi ai.

Previous articlePersonat që vonohen gjithmonë janë më të suksesshëm dhe jetojnë më gjatë
Next articleÇ’ është ky hall kaq i madh i Bashkimit Evropian për Serbinë?!