Policia e Kosovës ka sekuestruar 272 aparate për prodhimin e kriptovalutave në fshatin Trebicë të Leposaviçit. Ka qenë Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ai që raportoi se gjatë aksionit edhe një person është arrestuar.
‘Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe u arrestu një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.
Aksioni i policisë filloi pasi Ministrja Artane Rizvanolli morri vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë. Rizvanolli njoftoi se këtë vendim e ka marrë me rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.