Home Kosova Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në KIE mbetet në “sirtar”, ...

Kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në KIE mbetet në “sirtar”, ja vendimi i papritur i Komitetit të Ministrave

Aplikimi i Kosovës nuk është futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që u mbajt dje në Torino të Italisë. Këtë e ka bërë të ditur deputetja e PDK-së, e cila është anëtare e komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Ariana Musliu Shoshi. Kjo e fundit tha se me këtë vendim, nuk mund të fillojnë procedurat zyrtare për anëtarësim, pa vonim dhe diskutim. Takimi i radhës, siç ka thënë ajo, mbahet më 1 qershor në Strasburg.

“Ky është rezultat i diplomacisë së fjetur e jo të heshtur! Që nga dita kur kemi dorëzuar kërkesën për aplikim në KiE kam kërkuar qartësi nga qeveria se a do të jemi pjesë e agjendës formale në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që mbahet sot në Torino të Italisë! U konfirmua që ne nuk jemi pjesë e agjendës formal në këtë takimin. Rrjedhimisht nuk do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në KIE! Pra nuk mund të fillojnë procedurat zyrtare pa diskutim dhe votim. Të shpresojmë se do të jemi pjesë e agjendës formale në takimin e zv.Ministrave që mbahet në Strasburg me datë 1 qershor 2022!”, u shpreh ajo. Më 12 maj, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës me seli në Strasburg. Të njëjtën ditë nga Këshilli i Evropës konfirmuan se kanë pranuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim dhe i njëjti është transmetuar te Komiteti i Ministrave. “Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i KiE Dusan Vojnovic.