Home Politike Çfarë do të ndodhë në PD? Sot ‘skadon’ afati i Bashës

Çfarë do të ndodhë në PD? Sot ‘skadon’ afati i Bashës

Situata në PD duket se tensionohet më shumë çdo ditë, teksa sot, më 5 janar, skadon edhe afati i ultimatumit që Berisha i kishte lënë kryedemokratit Lulzim Basha për të liruar selinë, bashkë me lidershipin. Berisha ka kërcënuar se do të shkojë në ‘shtëpinë e demokratëve’, teksa Basha i është përgjigjur duke ‘fortifikuar’ më tej selinë, duke i paraprirë një sulmi të mundshëm. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë sot në selinë e partisë më të madhe opozitare në vend, ndërsa Lulzim Basha ka theksuar se situata do të vijojë në normalitet, pa ngjarje të pazakonta.

Ditën e djeshme, përplasja mes tyre arriti kulmin, teksa Basha artikuloi akuza të rënda ndaj Berishës që nuk i kishte përmendur më parë. Sipas Bashës, Berisha bën biznes dhe pastron para me trafikantët e drogës të shpallur “Non Grata” nga Britania e Madhe.

Basha nuk përmendi emra konkret, por foli për pjesëtarë të një organizate kriminale B9, me të cilët thotë se Berisha dhe familja e tij bëjnë biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash si dhe ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojërat e fatit.

Kujtojmë se krahas betejës fizike për selinë, Berisha dhe Basha kanë nisur edhe një betejë në gjykatë, për legjitimimin e statuteve.

Sali Berisha ka dërguar në gjykatë për konfirmim statutin që miratoi në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, ndërsa në gjykatë për konfirmim ka dërguar edhe Lulzim Basha statutin e ndryshuar të PD-së, ndonëse 5 muaj më vonesë.

Konflikti në PD nisi në 9 shtator 2021, ditën kur Lulzim Basha, pas një ultimatumi nga SHBA, pezulloi Sali Berishën si anëtar të grupit parlamentar të PD-së, për shkak se ishte shpallur non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë.

Previous articlePagat në Shqipëri! Tirana më të larta, Lezha më të ulëtat
Next articleKKT miraton leje për hotele në bregdet dhe disa HEC-e në Elbasan, Skrapar e Dibër