Home Politike 11 parti paraqitën kërkesën për të garuar më 6 mars, KQZ miraton...

11 parti paraqitën kërkesën për të garuar më 6 mars, KQZ miraton të gjitha subjektet politike

11 forca politike dorëzuan të hënën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për t’iu bashkuar garës elektorale të 6 marsit. Sot Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, miratoi kërkesat e tyre.

Krahas Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, e PDK-së në Nard Ndokës, janë edhe 7 parti të tjera, kryesisht pa peshë elektorale që kanë kërkuar të regjistrohen në zgjedhjet e pjesshme.

Lëvizja e Re, Fryma e Re Demokratike, Partia Kristian Demokrate, Partia e Reformave Demokratike të Shqipërisë, Bashkimi Demokrat, Lëvizja e Legalitetit dhe Balli Kombëtar, janë forcat e vogla politike që kërkojnë të jenë pjesë e garës.

Ndërkohë që nesër është afati i fundit për të dorëzuar kërkesat për regjistrimin e koalicioneve. Dje LSI kërkoi regjistrimin në koalicion em PDK e Nard Ndokës dhe Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës, kërkesë e cila pritet që të refuzohet nga KQZ pasi Berisha nuk është regjistruar në gjykatë si forcë politike dhe për më tepër nuk është një nga 11 partitë e regjistruara në KQZ për përballjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.

Ajo që bie në sy tek partitë e regjistruara është se aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, Agron Duka,  Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi apo Vangjel Dule kanë qëndruar jashtë garës, duke mos u regjistruar në zgjedhje. Nuk ka paraqitur në KQZ kërkesë për regjistrim si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e pjesshme vendore, asnjë Komitet Nismëtar për kandidatë të pavarur. Nuk ka patur kërkesë as në KZAZ-të e Dibrës, Vorës dhe Rrogozhinës nga asnjë Komitet Nismëtar.

Partitë e regjistruara në zgjedhje:

Në KQZ Shqipëri kanë paraqitur kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në zgjedhje 6 bashki të datës 6 mars 2022, partitë politike në vijim:

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS)

Partia Demokratike e Shqipërisë (PD)

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

Lëvizja e Re (LRE)

Fryma e Re Demokratike (FRD)

Partia Kristian Demokrate (PKDSH)

Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK)

Partia e Reformave Demokratike e Shqipërisë (PRDSH)

Partia Bashkimi Demokrat (PBD)

Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL)

Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD)