Home Sport “100 milionë euro përfitime për Shqipërinë”: Duka bën llogarinë e finales

“100 milionë euro përfitime për Shqipërinë”: Duka bën llogarinë e finales

Roma e Feyenoord në Tiranë. Kjo është kryefjala e ditëve të fundit në kryeqytet, që bëhet gati të mirëpresë finalen e parë europiane në histori. Sigurisht, që i gjithë kryeqyteti e ndjen gjallërinë e finales së Conference League: investimet sigurisht janë bërë me shpenzimet e UEFA-s, por është e qartë se një ngjarje e tillë do të sjellë edhe përfitime për Shqipërinë, që si ka bërë të ditur presidenti i FSHF-së Armand Duka, nuk do të jenë aspak të vogla: “Kostot vërtetë janë të jashtëzakonshme.

Nëse do të shkoni në stadium janë rreth 300 vetë që punojnë dhe që vijnë nga jashtë vendit për specialitete të ndryshme, kështu që kostot janë shumë më të mëdha. UEFA i mbulon kostot e këtyre të ardhurave jo nëpërmjet stadiumit, por nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga sponsorët apo të drejtat televizive – tha numri 1 i futbollit shqiptar, që shpjegoi më pas -. Sa i përket të ardhurave që krijon vendi flitet për shifra mbi 100 milionë euro, nuk është se mund të ketë një gjë të llogaritur fiks, por duke pasur parasysh të gjithë të ardhurat që sjellin njerëzit në Tiranë, apo biznesi që llogaritet të ndodhë rreth këtij eventi, mund të jenë shifra të tilla të përafërta”.

Personalitet e ftuar nga UEFA dhe nga vetë klubet pjesëmarrëse në finale do të bëjnë që në tribunat e Arenës Kombëtare të jenë të pranishëm emra VIP nga bota e futbollit:

“Ka shumë personazhe VIP të botës së futbollit, duke filluar nga Presidenti i UEFA-s, presidentë federatash, presidentë klubesh dhe ish-futbollistë të njohur. Mund të përmend disa duke filluar nga Françesko Totti, Antonio Conte, Zibi Bonjek, Luis Figo e shumë të tjerë”, përfundoi Duka.